AlbanianSport.com 06.01.2015 14:25
ASNN – Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve do të luajë të mërkurën një miqësore me homologen e Italisë. Futbollistët që ka grumbulluar trajneri i Kombëtares shqiptare të kësaj grupmoshe, Altin Lala, luajnë në skuadra të huaja. Ai kërkon të testojë disa nga këta lojtarë për të parë ecurinë e tyre derisa të fillojnë ndeshjet zyrtare. Më pas Lala do të shikojë edhe futbollistët që luajnë në këtë grupmoshë në akademitë e futbollit të skuadrave të Kategorisë Superiore.
Ekipi kombëtar i futbollit për Nën-19-vjeçarët do të zhvillojë një ndeshje miqësore me ekipin homolog të Italisë. Ky takim do t’i shërbejë trajnerit të kombëtares sonë të kësaj grupmoshe, Altin Lala për të parë gjendjen e lojtarëve që ka grumbulluar. Sipas listës, bien në sy lojtarë që luajnë me skuadra të tilla si Olimpiakosi në Greqi, Atletiko e Madridit në Spanjë, Paris SG-së në Francë, Shalke 04-s apo Eintrahtit të Frankfurtit në Gjermani dhe Torinos në Itali.
Trajneri i Nën-19-vjeçarëve kuqezi, Altin Lala, është shprehur se ende nuk i ka parë lojtarët shqiptarë të kësaj moshe që luajnë në akademitë e skuadrave të futbollit të Kategorisë Superiore. Megjithatë ai thekson se ata nuk mund të jenë në të njëjtën nivel me lojtarët që vijnë nga jashtë. Ndeshja midis Nën-19-vjeçarëve të Shqipërisë dhe atyre të Italisë, do të luhet të mërkurën, duke nisur nga ora 16:00, në Stadiumin “Elbasan Arena”. Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve, ka luajtur vetëm para disa ditësh në Rome kundër ekipit italian ku ka humbur me rezultatin 1-3.