AlbanianSport.com 04/05/2021 19:25
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit për grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve ka hyrë në fazën më të nxehtë, teksa ka shpallur këtë javë ekipet fituese në të dyja grupet. Të hënën, Vllaznia u shpall fituese e Grupit A, pasi e mbylli sezonin e rregullt me 44 pikë të grumbulluara pas 27 javësh. Ekipi shkodran mundi në javën e fundit Dinamon me rezultatin 3-1, në ndeshjen e luajtur në Fushën Sportive të Arbanës, duke siguruar kështu zyrtarisht vendin e parë.
Në ceremoninë e zhvilluar në përfundim të kësaj ndeshjeje, legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, u dorëzoi trofeun lojtarëve të Vllaznisë. Po të hënën, Teuta u shpall fituese në Grupin B të Kategorisë Superiore të kësaj grupmposhe, duke e mbyllur sezonin e rregullt me 38 pikë të grumbulluara pas 27 javësh. Ekipi durrsak, që e kishte siguruar që një javë më parë kreun, mori trofeun nga ish-trajneri i mirënjohur, Sulejman Mema, në ceremoninë e zhvilluar në fund të ndeshjes ndaj Akademisë së Futbollit.
Këtë fundjavë do të nisë edhe faza e “play-off”-it të Kategorisë Superiore, që do të përcaktojë më pas edhe ekipin “kampion” të Shqipërisë në këtë grupmoshë. Në këtë fazë do të marrin pjesë 8 ekipet e renditura në 4 vendet e para të dy grupeve përkatëse.