AlbanianSport.com 03/02/2024 12:05
ASNN – Ekipi kombëtar i Nën-19-vjeçarëve, grumbullim 3-ditor me lojtarët që aktivizohen në kampionatin shqiptar. Kështu, Kombëtarja e kësaj grupmoshe do ta zhvillojë këtë grumbullim 3-ditor në data 5, 6 dhe 7 shkurt 2024 dhe ky do të jetë edhe grumbullimi i parë për trajnerin e ri të Nën-19-vjeçarëve kuqezinj, Bledi Shkëmbi.
Grumbullimi do të jetë në kuadër të projektit “Step by Step” dhe lojtarët e thirrur do të jenë nga klubet e kampionatit shqiptar. Ekipi kombëtar i Nën-19-vjeçarëve, i drejtuar nga trajneri Shkëmbi do të grumbullohet në Durrës dhe seancat stërvitore do të zhvillohen në fushat e njërit prej komplekseve turistikë të qytetit bregdetar.
Gjatë këtij grumbullimi do të zhvillohet edhe një ndeshje kontrolli dhe lojtarët do të jenë të monitoruar gjatë gjithë kohës. Në këtë mënyrë trajneri Shkëmbi, do të ketë mundësi të vëzhgojë nga afër gjendjen e futbollistëve të grumbulluar dhe elementët më të spikatur që në të ardhmen do të japin kontributin e tyre edhe në ndeshje zyrtare.
Pas këtij grumbullimi, puna me lojtarët që aktivizohen në klubet dhe akademitë shqiptare do të vijojë sërish në kuadër të projektit “Step by Step” dhe çdo javë në “Shtëpinë e Futbollit” në kryeqytet, trajneri Bledi Shkëmbi do të ketë mundësi të stërvisë lojtarët e grupmoshës së Nën-19-vjeçarëve.