AlbanianSport.com 12/08/2021 20:15
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-18-vjeçarët ka zhvilluar mbrëmjen e sotme ndeshjen miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Italisë. Sfida e luajtur në Qendrën stërvitore të Kombëtares italiane, Koverçiano, ka përfunduar në favor të vendasve, me rezultatin minimal 1-0. Ekipi kuqezi zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, me një pjesë të parë të barabartë ku të dy skuadrat ishin të rrezikshme në portat përkatëse.
Kuqezinjtë u ndëshkuan në minutën e 39-të nga vendasit, të cilët shfrytëzuan një pakujdesi në mbrojtjen tonë. Në fraksionin e dytë të lojës trajneri Ardi Behari bëri 6 zëvendësime, dhe skuadra jonë mori kontrollin e lojës në dorë, me djemtë kuqezi që në 20 minutat e fundit ju afruan shumë herë golit, por pa arritur të finalizojnë me sukses.
Gjithçka u mbyll me golin e minutës së 39-të për Italinë. Të premten, më 13 gusht, në ora 11:00, po në Koverçiano do të jetë radha e Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve të zbresë në fushën e lojës përballë bashkëmoshatarëve italianë. Ky do jetë testi i 3-të për trajnerin Armando Cungu, pas dy miqësoreve të luajtura me Kosovën. Në shtator, kuqezinjtë do të luajnë dy miqësore ndaj Izraelit, në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Evropian.
Nën-18-vjeçarët
Itali – Shqipëri 1-0
Formacioni i Shqipërisë: Simoni, Sota, Thaleb, Çipi, Azizi, Tahiri, Lika, Kote, Halilaj, Çelaj, Nikqi. U aktivizuan: Kaceli, Biba, Cupani, Cungu, Nako, Prendi, Stafa.
Trajner: Ardi Behari