AlbanianSport.com 27/10/2021 21:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve në futboll ka zhvilluar këtë të mërkurë ndeshjen e saj të parë, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe, kundër Italisë. Kuqezinjtë ishin të pafat në këtë sfidë të parë, teksa u mundën me rezultatin final 0-5.
Trajneri i ekipit kombëtar, Ervin Bulku, e nisi lojën me këtë formacion, ndërsa bëri edhe këto ndërrime: Kiri, Muca, Haxhari, Kurti, Arlind Kurti, Ruci (Ageja), Kasmollari, Syla (Dama), Fikaj, Kasa (Shtraza), Sulejmani (Rama). Shqipëria e nisi mirë lojën, teksa që në minutat e para u tregua e rrezikshme.
Por një pakujdesi do t’i dërgonte kundërshtarët në epërsi në minutën e 9-të të takimit. Dhjetë minuta më vonë, Italia do të shënonte dhe golin e dytë, ndërsa në pjesën e mbetur të 45 minutave të para, kuqezinjtë tentuan të ngushtojnë rezultatin, por nuk ia dolën.
Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Bulku bëri disa ndryshime në formacion, por Italia do të shënonte edhe 3 gola të tjerë, duke vulosur rezultatin në 0-5. Kjo ishte ndeshja e parë e Shqipërisë së Nën-17-vjeçarëve në këto Eliminatore që zhvillohen në Irlandën e Veriut, teksa më 30 tetor 2021, kuqezinjtë do të luajnë ndaj Skocisë, ndërsa më 2 nëntor, do të luajnë ndeshjen e 3-të e të fundit ndaj Irlandës së Veriut.