Adriatik Balla 23.10.2015 16:10
Duket e habitshme, por Federata Shqiptare e Futbollit nuk ia ka dalë mbanë të bindë një numër të madh të rinjsh të talentuar që kanë origjinë shqiptare e që luajnë në klube të ndryshme evropiane që t’i afrojë ata në gjirin e kuqezinjve. Ky dështim është i dukshëm, pasi shumë vende, kanë aktivizuar të rinj shqiptarë në gjirin e tyre, madje dhe vende të mëdha si Italia, Gjermania, apo dhe vendet nordike.
Në kampionatin zviceran janë shumica e tyre, kjo pasi ky vend përmban një numër të madh emigrantësh nga trojet shqiptare në Ballkan, të cilët janë ingranuar në shoqërinë zvicerane. Në ekipet kombëtare të moshave në Zvicër ka shumë shqiptarë dhe këtë e tregon më së miri kombëtarja e 17-vjeçarëve të Zvicrës, e cila ka në gjirin e saj plot 8 lojtarë me origjinë shqiptare, kryesisht nga Kosova.
Kastrijot Ndau, Kreshnik Hajrizi, Izer Aliu, Nedim Bajrami, Rijad Saliji, Qendrim Kameraj, Andi Zeqiri dhe Mersim Asllani janë “shqiptarët” e Zvicrës së Nën-17-vjeçarëve. Ndeshja e djeshme midis dy përfaqësueseve të kësaj grupmoshe, e luajtur në Uells, është mbyllur me fitoren e zviceranëve 2-0, por golat janë shënuar pikërisht nga shqiptarët.
Konkretisht nga Andi Zeqiri dhe nga Qëndrim Kamberaj. Skuadra e trajnerit Xhamal Mustedanagiç humb kështu përballjen e parë në grup dhe fajtor për humbjen janë shqiptarët e Zvicrës.