Gjergj Vyshka 14.10.2014 13:30
Që në fillim të takimit me San Marinon, trajneri Xhemal Mustedanagiç rreshtoi një skuadër sulmuese dhe padyshim që rastet do të ishin të shumta. Kote ka qënë një ndër më të mirët në fushën e lojës për të dy ekipet në këtë fraksion loje, ndërkohë që në minutën e 6-të dhe në të 13-n, ka qenë ky futbollist që për pak sa nuk gjeti golin e avantazhit për tanët.
Atë që se bëri dot kapiteni i ekipit e ka bërë Pepsi në minutën e 24-t, teksa pas pasimit të Hebaj, nuk e ka pasur të vështirë të kalojë Shqipërinë në epërsi. Është po autori i golit të parë që ka një tjetër rast ideal në minutën e 28-të, por nuk arrin të dyfishojë shifrat. Sigurisht që pjesa e dytë ka qenë më e bukur, pasi janë shënuar gjithsej 5 gola, 4 për tanët dhe një për San Marinon.
Dy herë brenda pak minutash Shqipëria humbet dy raste të pastra me Zekën dhe më pas me Koten. Ndërkohë që vetëm në minutën e 53-të do të vinte goli i dytë për tanët me autor Dhamon, që shënon me kokë pas një krosi brenda zonës. Në të 60-tën minutë është Zeka që gjuan fuqishëm, por grushton portieri mik. Ndërkohë që po ky lojtar, dy minuta më vonë, shërben për Pepsi, i cili shumë afër portës shënon të tretin.
Minuta e 64-t do të trondiste traversën e San Marinos me autor Koten, që së bashku me Zekën, ishin dy lojtarët më të mirë në fushë për 80 minuta. Tre gola në harkun kohor të tre minutave do të vinin në vazhdim, teksa Zeka shënon për tanët në minutën e 70-të. Miqtë një minutë më vonë do të çonin shifrat në 4-1, pas një dalje të gabuar të portierit Selmani dhe C. Gati shënon golin e vetëm të San Marinos në këtë “Elitë Raund”.
Gjithçka do të mbyllej në të 73-ën, teksa Dhamo do të shënonte golin e tij të dytë individual dhe të pestin për Shqipërinë.
Shqipëri – San Marino 5-1
Shënues: Pepsi 24’, 62’, Dhamo 53’, 73’,
Zeka 70’ / C. Gati 71’
Shqipëria: Selmani, Maloku, Kumanova, Sykaj, Pepsi, Hebaj (Berisha 59’), Kote, Hajrulla (Dhamo 33’), Domi (Zeka 30’), Poçi, Abara. Trajner: Xh. Mustedanagiç.
San Marino: Xhiulianeli (Markoni 66’), Çevoli, Korbeli (Raski 74’), Fortunati, Gasperoni, C. Gati, Xhorxhini, Mikeloti, Mularoni, Kuaranta, Sopranci (F. Gati 50’). Trajner: S. Fioriano.
Gjyqtarë: A. Aleksandrov, T. Samat (Kazakistan), P. Jan (R. Çeke)
Kartonë të verdhë: Hajrulla, Zeka / Karanta, Sopranci