AlbanianSport.com 15/10/2018 17:05
ASNN – Kombëtarja e të rriturve pësoi humbje 2-0 ndaj Izraelit mbrëmjen e djeshme, ajo e Nën-21-vjeçarë u mund minimalisht nga Spanja, kurse ajo e Nën-19-vjeçarëve i ka humbur dy ndeshjet e para në grupin e saj Eliminator. Por këtë muaj një tjetër skuadër kombëtare ka angazhime në fushën e gjelbër.
Bëhet fjalë për Kombëtaren e Nën-17 vjeçarëve, e cila do të ketë tre duele të rëndësishme zyrtare në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Evropian të kësaj moshe. Në kuadër të këtyre Eliminatoreve, trajneri i kësaj Kombëtareje, boshnjaku Xhemal Mustedanagic ka zbardhur listën e 23 lojtarëve që do të jenë të grumbulluar për duelet e kësaj veprimtarie.
Veprimtaria merr rëndësi pasi ndeshjet e këtij grupi do të luhen në Shqipëri, në Stadiumet “Elbasan Arena” dhe “Roza Haxhiu” të Lushnjës, nga data 23 deri më 29 tetor 2018. Kuqezinjtë e vegjël bëjnë pjesë në Grupin 8, së bashku me Azerbajxhanin, Çekinë dhe Norvegjinë.
Vetë trajneri Mustedanagiç e di mirë se jemi në një grup shumë të vështirë, por ai nuk e ka humbur shpresën për të marrë rezultate maksimale dhe kalimin në “Raundin Elitë”, kjo dhe për faktin se kuqezinjtë e vegjël do t’i luajnë ndeshjet në fushën e tyre e në prani të publikut shqiptar, duke pasur kështu një shans të mirë për kualifikim.