Gjergj Vyshka 09.10.2014 13:25
Kuqezinjtë e vegjël janë mundur 0-3 nga nordikët, por trajneri i Shqipërisë, Xhemal Mustedanagiç, shpreson në kualifikimin e mëtejshëm.“Ishte ndeshja e parë në këtë “Elitë Raund” dhe më vjen keq që e nisëm me një humbje. Edhe për mua, si për të gjithë shqiptarët, humbja 3-0 është një rezultat tepër i thellë, por ndeshja u vendos nga fragmente të caktuara.”
“Gjatë pjesës së parë na është mohuar një 11-metërsh i pastër, i cili do të kishte ndryshuar të gjithë ecurinë e lojës, – pretendoi trajneri boshnjak i Nën-17-vjeçarëve të Shqipërisë. – Po të shikojmë ecurinë e kësaj kombëtareje në tre vitet e fundit duket fare qartë se kemi pësuar një rritje të madhe.”
“Përsa i përket kualifikimit apo jo, kemi përpara edhe dy ndeshje të tjera, – ka vijuar Mustedanagiçi. – Nëse ndaj Austrisë marrim një rezultat pozitiv, atëherë shpresat për kalimin e raundit janë të mëdha.” Ndërsa trajneri i Norvegjisë, Jonsen vlerësoi lojën e disiplinuar të skuadrës së tij.
“E kishim vlerësuar shumë këtë takim, pasi luanim ndaj të zotëve të shtëpisë, – ka deklaruar ai, duke folur pas ndeshjes me Shqipërisë. – Ishte një fitore e rëndësishme. Për sa i përket rezultatit dhe lojës jam shumë i kënaqur, pasi nuk gabuam në asnjë moment.”
“Tashmë na duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës, kundër San Marinos, ku shpresojmë për një tjetër rezultat pozitiv. Pa diskutim që me këtë fitore synojnë vendin e parë në këtë grup”, – ka përfunduar trajneri i ekipit përfaqësues të Nën-17-vjeçarëve të Norvegjisë.