AlbanianSport.com 14/11/2024 19:25
ASNN – Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve, të premten në testin e parë miqësor ndaj Polonisë, ndeshja luhet në “Shtëpinë e Futbollit”. Kështu, Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve është gati për ndeshjen e parë miqësore ndaj Polonisë, teksa kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri italian, Andrea Tedesko, mbyllën me sukses përgatitjet të enjten.
Kuqezinjtë u stërvitën në kompleksin e tyre stërvitor në Durrës dhe të gjithë lojtarët janë të gjendje të mirë, pa probleme fizike. Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve e ka nisur grumbullimin prej ditës së hënë dhe italiani i stolit kuqzi do t’i ketë të gatshëm të gjithë futbollistët e grumbulluar.
Takimi midis Nën-17-vjeçarëve të Shqipërisë dhe atyre të Polonisë, do të luhet të premten pasdreke, duke nisur nga ora 14:00, në fushat e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet, siç njihet ndryshe selia e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndeshja e dytë miqësore do të zhvillohet më 18 tetor, po në “Shtëpinë e Futbollit”, duke nisur nga ora 14:00 dhe hyrja për të gjithë tifozët në këto dy miqësore është falas.