AlbanianSport.com 10/03/2021 19:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve në futboll e mbylli me një ndeshje miqësore kundër ekipit të Nën-17-vjeçarëve të Teutës, grumbullimin 3-ditor në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Ditën e mërkurë, nën urdhrat e trajnerit Bulku, kuqezinjtë arritën suksesin e parë për këtë vit duke fituar me rezultatin e thellë 7-2. Trajneri Bulku e nisi ndeshjen me këtë formacion: Kiri, Sulejmani, Gjergji, Koleci, Çelkupa, Syla, Xhafa, Zaganjori, Shtraza, Guci.
Por ai aktivizoi edhe pjesën tjetër të skuadrës përgjatë gjithë ndeshjes. Spikati në këtë miqësore sulmuesi Erjon Belulaj, i cili realizoi 2 gola. Rrugën e rrjetës e gjetën edhe Emanuel Guci, Ersi Zaganjori, Xhoele Tahiri dhe Elidon O’Bojli. Pas përfundimit të ndeshjes, në një prononcim për faqen zyrtare në Inter të Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri kuqezi u shpreh i lumtur për këtë fitore të parë dhe tha se duhet punuar ende, në mënyrë që të formohet grupi i gatshëm për eliminatoret e Evropianit.
“Mund të them që ishte një përzgjedhjeje e vlefshme, pasi arritëm të shohim në lojë të gjithë lojtarët e vitlindjeve 2005-2006 që kishin mundësi të na bashkoheshin, pasi për shkak të epidemisë së “Covid -19” jemi përballur me shumë e vështirësi dhe jo të gjithë lojtarët që aktivizohen jashtë mundën të vinin, – ka thënë ai. – Sigurisht tani kam një ide më të qartë për potencialet që ka ky grup, ndërkohë që në muajt në vazhdim do të kemi edhe faza të tjera përzgjedhjeje.”
“Jam pjesërisht i kënaqur për nivelin e treguar nga lojtarët, pasi mendoj se kemi shumë punë për të bërë. I nxis lojtarët, por edhe stafet e klubeve që të punojnë edhe më shumë në mënyrë që të lojtarët të jenë në formën e tyre më të mirë kur të ftohen nga ekipet Kombëtare. Sidoqoftë, kemi elementë cilësorë, por është rrugë e gjatë përpara për që ata të bëhen lojtarë të vlefshëm për ekipet e tjera Kombëtare të moshave”, – ka përfunduar Bulku.
Me këtë miqësore, ekipi kombëtar i Nën-17-vjeçarëve përfundoi edhe këtë fazë përzgjedhjeje 3-ditore.