AlbanianSport.com 04/05/2021 22:25
ASNN – Edhe Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit për grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve po i afrohet finales së sezonit, pasi këtë javë janë shpallur edhe ekipet fituese të të dy grupeve, ku marrin pjesë 20 skuadra. Në Grupin A, skuadra e Shënkollit u shpall fituese, duke e mbyllur sezonin e rregullt me 39 pikë të mbledhura në 27 javë. Pavarësisht se u mund nga Partizani 2-1 në javën e fundit në ndeshjen e luajtur në Fushën Sportive të Yrshekut, ekipi lezhjan mundi të ruajë kreun e këtij grupi.
Në ceremoninë e zhvilluar në përfundim të ndeshjes, Shefi i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), Marjus Sulejmani, u dorëzoi trofeun lojtarëve të Shënkollit. Po në këtë të hënë, Akademia e Futbollit ia doli të rrëmbejë vendin e parë të Grupit B në javën e fundit, me 36 pikë të grumbulluara në 27 javë. Skuadra kryeqytetase triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Flamurtarit në vizitën e Vlorës dhe përfitoi nga hapat fals të kundërshtarëve në një finale sezonit emocionuese.
Në fundjavë do të nisë edhe faza e “play-off”-it të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit për grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve, që do të përcaktojë ekipin kampion të Shqipërisë në këtë grup-moshë. Në këtë fazë do të marrin pjesë 8 ekipet e renditura në 4 vendet e para të dy grupeve.