AlbanianSport.com 14/01/2024 19:55
ASNN – Të shtunën dhe të dielën janë luajtur ndeshjet e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për grupmoshën e Nën-17 dhe Nën-19-vjeçarëve. Edhe këtë sezon do të jetë i njëjti format, teksa në garë për të fituar këtë trofe të rëndësishëm do të jenë 8 ekipe për secilën grupmoshë, bazuar në renditjen e skuadrave pas mbylljes së fazës së parë. Të gjitha ndeshjet e kësaj faze për të dyja grupmoshat u luajtën me vetëm një takim dhe në një fushë asnjanëse, në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare të FSHF-së në Kamëz.
Kështu, në çerekfinalet e grupmoshës së Nën-19-vjeçarëve, që u luajtën të shtunën duke nisur nga ora 13:00, Skënderbeu ka mundur Tiranën 4-3 pas goditjes së 11-metërshve, pasi koha e rregullt u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa Bylisi mposhti Dinamon 4-2. Ndërsa të dielën, por në të njëjtën orë, u luajtën duelet Partizani-Apolonia, që u fitua nga kryeqytetasit 2-0, dhe Vllaznia-Laçi, që u fitua nga kurbinasit me shifrat 2-1. Kështu, në gjysmëfinale, Skënderbeu do të përballet me Partizanin, ndërsa Bylisi me Laçin.
Edhe për grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve janë përcaktuar ekipet që do të kalojnë në çerekfinale, pas mbylljes së fazës së parë. Kështu, të shtunën, duke nisur nga ora 10:00 janë luajtur duelet Skënderbeu-Dinamo, që u fitua thellë, 5-1, nga korçarët, dhe Tirana-Laçi, që u fitua nga kryeqytetasit 4-1, ndërsa të dielën, po në të njëjtë orë Kamëz, Partizani ka mundur Apoloninë 4-0, kurse Teuta ka mposhtur me një gol të vetëm Vllazninë. Në gjysmëfinale, Teuta do të përballet me Partizanin në njërin çift, ndërsa në çiftin tjetër Skënderbeu ndeshjet me Tiranën.