AlbanianSport.com 04/03/2024 18:40
ASNN – “UEFA Development” për Nën-16-vjeçarët, luhen ndeshjet e dyta, njihuni me rezultatet e sfidave. Janë luajtur sot ndeshjet e dyta të turneut “UEFA Development” të kësaj grupmoshe për djem. Ky turne zhvillohet në vendin tonë nën organzimin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe marrin pjesë përfaqësueset e kësaj grupmoshe të Shqipërisë, Kosovës, San Marinos dhe Belizes. Shqipëria e Nën-16-vjeçarëve luajti sfidën e dytë në këtë turneu ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës.
Koha e rregullt e këtij takimi përfundoi 2-2 dhe nga goditjet nga pika e bardhë u treguan më të saktë “Dardanët” e vegjël, që triumfuan me rezultatin 3-2. Kosova shënoi dy gola, ndërsa Shqipëria në minutat e fundit barazoi ndeshjen me Amer Kthupin dhe Leon Darius Myrtajn. Trajneri Ardi Behari hodhi në fushë këtë formacion titullar: Daniel Culi (portier), Darli Kurti, Kris Gecaj (kapiten), Fabian Nuhaj, Milan Kovaçi, Aleks Ramku, Ernesto Marqeshi, Serxho Vogli, Emiljano Mihana, Xhordan Luan Kinavong, Flavio Shkëmbi.
Ndeshja nisi mjaft mirë për Kosovën, që zhbllokoi takimin në minutën e 12-të. Shqipëria u mundua të reagonte dhe kishte disa mundësi të mira, por pa sukses. Pjesa e parë u mbyll 1-0 në favor të “Dardanëve”, ndërsa fraksioni i dytë nisi me dy ndryshime te kuqezinjtë. Në fushën e lojës u aktivizuan Agon Bajrami dhe Leon Darius Myrtaj. Kosova gjeti sërish rrugën e rrjetës dhe dyfishoi rezultatin në minutën e 52-të. Në anën tjetër pas disa minutave shumë të mira, Shqipëria arriti të ngushtojë diferencën në të 85-ën.
Protagonisti kryesor ishte Leon Darius Myrtaj i cili avancoi brenda zonës dhe shërbeu saktë për Amer Kthupin që e dërgoi topin në rrjetë. Sërish Leon Darius Myrtaj u shfaq rrezikshëm në zonën kundërshtare dhe fitoi një 11-metërsh që e shndërroi vetë në gol duke barazuar sfidën. Në fund takimi përfundoi në barazim me rezultatin 2-2 dhe fituesi u vendos nga goditjet e 11-metërshve. “Dardanët” u treguan më të saktë nga pika e bardhë dhe triumfuan me rezultatin 3-2.
Po të hënën, në “Shtëpinë e Futbollit” në kryeqytet, u luajt takimi Belize-San Marino. Koha e rregullt e këtij takimi përfundoi në barazim me rezultatin 1-1. Nga goditjet e 11-metërshve fitoi Belize me rezultatin 4-2. Ndeshjet e fundit të turneu “UEFA Development” për Nën-16-vjeçarët do të luhen më datë 7 mars 2024. Sfida e parë në “Shtëpinë e Futbollit” do të jetë Kosovë-Belize, që nis në orën 11:30, ndërsa Shqipëri-San Marino do të luhet duke nisur nga ora 14:30.
Ndeshjet e para
(2 mars 2024)
San Marino – Kosovë 2-2 (5-6 pas 11-m.)
Shqipëri – Belize 9-0
Ndeshjet e dyta
(4 mars 2024)
Belize – San Marino 1-1 (4-2 pas 11.m)
Shqipëri – Kosovë 2-2 (2-3 pas 11.m)
Ndeshjet e 3-ta
(7 mars 2024)
Kosovë – Belize Shtëpia e Futbollit ora 11:30
Shqipëri – San Marino Shtëpia e Futbollit ora 14:30