AlbanianSport.com 02/03/2024 17:15
ASNN – Janë zhvilluar të shtunën ndeshjet e para të turneut “UEFA Development” për Nën-16-vjeçarët, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) nga data 2, deri më 7 mars 2024, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Kosovës, San Marinos dhe Belizes. Shqipëria e kësaj grupmoshe e fitoi takimin e parë ndaj Belizes me rezultatin e thellë 9-0. Kuqezinjtë dominuan takimin dhe që në pjesën e parë shënuan 3 gola me Kris Gecajn, Leon Darius Myrtajn dhe Serxho Voglin, ndërsa në atë të dytë realizuan Flavio Shkëmbi 3 gola, Rajan Neziri 2 dhe një Milan Kovaçi.
Trajneri Ardi Behari hodhi në fushë këtë formacion startues: Daniel Culi (portier), Darli Kurti, Kris Gecaj (kapiten), Fabian Nuhaj, Milan Kovaëi, Aleks Ramku, Ernesto Marqeshi, Serxho Vogli, Emiljano Mihana, Leon Darius Murtaj, Jordan Luan Kinavongu.
Ndeshja nisi shumë mirë për Shqipërinë që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 4-t me Kris Gecajn. Tre minuta më vonë, Leon Darius Myrtaj fitoi një 11-metërsh dhe e shndërroi vetë në gol, duke i çuar shifrat në 2-0. Në pjesën e parë Shqipëria realizoi edhe një tjetër gol me Serxho Voglin në minutën e 32-të.
Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm për kuqezinjtë që shënuan golin e 4-t në minutën e 50-të me Flavio Shkëmbin. Sërish Shkëmbi gjeti rrugën e rrjetës në të 60-ën duke realizuar edhe golin e 5-të. Ndërsa Rajan Neziri shënoi golin e gjashtë në të 72-ën dhe në të 80-ën realizoi sërish, duke e çuar rezultatin në shifrat 7-0. Golin e 8-të e realizoi Milan Kovaçi, i cili goditi saktë me kokë nga brenda zonës, ndërsa Flavio Shkëmbi shënoi golin e 9-të në fundin e takimit duke vulosur fitoren spektakolare të Shqipërisë në nisje të turneut “UEFA Development”.
Po të shtunën, në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua takimi San Marino-Kosovë. Koha e rregullt e këtij takimi përfundoi në barazim me rezultatin 2-2, ndërsa Kosova fitoi 6-5 me 11-metërsha. Ndeshjet e dyta të turneut “UEFA Development” për Nën-16-vjeçarët do të zhvillohen më datë 4 mars. Takimi i parë i ditës në “Shtëpinë e Futbollit” në kryeqytet do të jetë ai Belize-San Marino, që nis në orën 11:30, ndërsa Shqipëria dhe Kosova do të përballen me njëra-tjetrën në orën 14:30.
Turneu “UEFA Development” për këtë grupmoshë do të ulë siparin më datë 7 mars 2024 me ndeshjet e fundit. Sfida e parë në “Shtëpinë e Futbollit” do të jetë ajo midis Kosovës dhe Belizes, që nis në orën 11:30, ndërsa përballja Shqipëri-San Marino do të luhet duke nisur nga ora 14:30. Më poshtë edhe rezultatet dhe kalendari i ndeshjeve të mbetura të turneut:
Ndeshjet e para
(2 mars 2024)
San Marino – Kosovë 2-2 (5-6 pas 11-m.)
Shqipëri – Belize 9-0
Ndeshjet e dyta
(4 mars 2024)
Belize – San Marino Shtëpia e Futbollit ora 11:30
Shqipëri – Kosovë Shtëpia e Futbollit ora 14:30
Ndeshjet e 3-ta
(7 mars 2024)
Kosovë – Belize Shtëpia e Futbollit ora 11:30
Shqipëri – San Marino Shtëpia e Futbollit ora 14:30