AlbanianSport.com 15/03/2024 20:20
ASNN – Shqipëria e Nën-16-vjeçare në futboll për femra ka luajtur premten ndeshjen e tretë dhe të fundit në turneun “UEFA Development” për këtë grupmoshë ndaj Portugalisë. Kjo sfidë u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit” dhe përfundoi me fitoren e Portugalisë 1-3.
Trajnerja Cyme Lulaj e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Portugalisë: Lusia Krraba në portë, pastaj Gelda Kadiolli, Imelda Ara, Marina Rushaj, Meri Zekaj, Aishe Sulejmani, Neila Rakipaj, Klausia Murataj, Egla Hoxha, Erina Bajramaj dhe Kalomira Ndreu.
Vajzat e Portugalisë zhbllokua menjëherë rezultatin, teksa gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e dytë të takimit. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale, ndërsa në atë të dytën, luzitanet shënuan edhe dy gola të tjerë, ndërsa Shqipëria gjeti rrugën e rrjetës në fundin e takimit me Ganie Memetaj.
Në fund ndeshja përfundoi me rezultatin 1-3 në favor të Portugalisë. Turneu “UEFA Development” ishte një mundësi e mirë për stafin teknik kuqezi që të testonte disa nga vajzat e kësaj grupmoshe, të cilat mund të jenë të vlefshme në të ardhmen. Nesër do të luhet edhe takimi i fundit i turneut “UEFA Development” për Nën-16-vjeçaret. Në orën 12:00 në “Shtëpinë e Futbollit” Kosova do të përballet me Skocinë.
Kalendari dhe rezultatet e ndeshjeve në turneun
“UEFA Development” për Nën-16-vjeçaret
11 mars 2024:
Skoci – Portugali 1-1 (4-2 pas 11-m.)
Shqipëri – Kosovë 0-6
13 mars 2024:
Portugali – Kosovë 2-0
“Shtëpia e Futbollit”, Tiranë
Shqipëri – Skoci 0-1
“Shtëpia e Futbollit”, Tiranë
15 mars 2024:
Shqipëri – Portugali 1-3
“Shtëpia e Futbollit”, Tiranë
16 mars 2024:
Kosovë – Skoci (11:30)
“Shtëpia e Futbollit”, Tiranë