AlbanianSport.com 30/08/2019 22:30
ASNN – Shqipëria e Nën-15-vjeçarëve në futboll, e drejtuar nga trajneri Armand Dama, ka luajtur të premten në Shkup ndeshjen e tretë të turneut miqësor “Friendly Development Tournament”, kundër vendasve të Maqedonisë së Veriut. Ndeshja e tretë e këtij turneu ka përfunduar me rezultatin 2-1 për përfaqësuesen vendase.
Përfaqësuesja kuqezi e filloi ndeshjen me këtë formacion: Kiri, Muça, Hasanago, Baca, Gjergji, Kaba, Syla, Musa, Kasa, Fikaj dhe Xhexhi. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rezultatin 1-0, pas një 11-metërshi të diskutueshëm, të dhënë nga gjyqtari vendas. Në pjesën e dytë të ndeshjes ka barazuar Hysa për Shqipërinë, në minutën e 45-të.
Kuqezinjtë e vegjël kanë tentuar të gjejnë golin e avantazhit, por pa sukses, e në minutën e 55, Maqedonia e Veriut ka shënuar sërish duke fituar me rezultatin 2-1. Në fakt, kjo ishte humbja e 3-të në po aq ndeshje për skuadrën e Damës, teksa në ndeshjen e dytë të këtij turneu miqësor është mundur 0-3 përballë fqinjëve të Malit të Zi.
Më herët, në takimin e parë të zhvilluar të mërkurën, kuqezinjtë Nën-15-vjeçarë, janë ndeshur me bashkëmoshatarët e Kosovës. Ndeshja ka qenë e bukur dhe shumë e luftuar, dhe është mbyllur me rezultatin 2-1 për Kosovën.