AlbanianSport.com 29/02/2024 21:10
ASNN – Kombëtarja e Nën-15-vjeçarëve mbyll grumbullimin 3-ditor, trajneri Dama vëzhgon nga afër kuqezinjtë. Kështu, Kombëtarja kuqezi ka mbyllur me sukses grumbullim 3-ditor me lojtarët e kësaj grupmoshe që aktivizohen në klubet dhe akademitë e futbollit shqiptar.
Trajneri Armand Dama, ka vëzhguar nga afër 20 lojtarët e grumbulluar, që janë stërvitur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku është punuar më shumë në aspektin fizik, teknik si dhe taktik individual. Mesditën e së enjtes është zhvilluar edhe ndeshja miqësore me ekipin e Nën-15-vjeçarëve të Qendrës Rajonale Fier.
Shqipëria e Nën-15-vjeçarëve ka fituar me rezultatin 8-0, ndërsa trajneri Armand Dama pati mundësinë për të aktivizuar të gjithë lojtarët e grumbulluar. Pas këtij grumbullimi rutinë, puna me futbollistët e talentuar kuqezi vijonë me programin e Federatës Shqiptare të Futbollit “Step By Step”.
Dy ditë në javë, lojtarët e grupmoshës së Nën-15, Nën-17 dhe Nën-19-vjeçarëve stërviten në “Shtëpinë e Futbollit” në kryeqytet, nën urdhrat e trajnerëve të ekipeve Kombëtare të moshave, ku synohet rritja e cilësisë së lojtarëve vendas, që në të ardhmen ato të bëhen baza e ekipeve Kombëtare të moshave.