AlbanianSport.com 03/03/2021 17:55
ASNN – Në atë që ishte dhe grumbullimi i parë për këtë vit i Kombëtares së Nën-15-vjeçarëve, trajneri Armand Dama kishte thirrur 25 lojtarë, të cilët janë ripërzgjedhur nga ekipet përfaqësuese rajonale në 8 zonat rajonale. Në seancat stërvitore trajneri vëzhgoi nga afër të gjithë lojtarët, duke kërkuar të njohë nga afër cilësitë dhe nevojat që kanë për përmirësim.
Duke folur për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit, Dama theksoi se grumbullimi i parë pas rikonfirmimit në detyrë i ka shërbyer shumë. “Na shërbeu shumë ky grumbullim, – deklaroi trajneri i kuqezinjve të vegjël të “topkëmbës”. – Arrita të shikoj nga afër të gjithë lojtarët e datëlindjes 2007 që janë pjesë e përfaqësueseve rajonale.”
“Ne do të vazhdojmë punën tonë, do ndjekim çdo javë të gjithë elementët cilësorë që luajnë kudo nëpër Shqipëri dhe gjithashtu një vëmendje të veҫantë do i kushtojmë stërvitjeve që këto lojtarë bëjnë në përfaqësueset rajonale. Gjatë vitit do të zhvillojmë edhe grumbullime të tjera për të arritur t’i shikojmë të gjithë lojtarët dhe dhënë gjithësecilit mundësinë për të treguar cilësitë”, – ka përfunduar Dama
Kombëtarja e Nën-15-vjeçarëve gjatë këtij viti do të zhvillojë disa grumbullime të tjera për t’i dhënë mundësi trajnerit të shikojë të gjithë elementët vendas, por edhe ato që luajnë jashtë Shqipërie, duke shpresuar që rrethanat e krijuara nga epidemia e virusit korona do t’i japë mundësi që t’i ketë në dispozicon në momentin më të parë të mundshëm.