AlbanianSport.com 05/02/2019 18:00
ASNN – Edhe pse i dëmtuar, e në fazë rikuperimi, futbollisti brazilian, Nejmar ka festuar 27-vjetorin e lindjes së tij. Festa është zhvilluar në Paris, ku të ftuar ishin, familjarët, shokët e tij të skuadrës së Paris SG-së dhe personalitete të famshëm të artit. Në një përkim interesant, më 5 shkurt kanë lindur, ndër të tjerë, edhe Kristiano Ronaldo e Karlos Tevez.
Kështu, Nejmari festoi datëlindjen e tij të 27-të me një mbrëmje të jashtëzakonshme në Paris. Ai iu bashkua familjes, shokëve të skuadrës së Paris SG-së, dhe një mori të ftuarish të famshëm. “DJ” Bob Sinkleri, këngëtarja braziliane Uesli Safadao dhe kampioni botëror i sërfit, Gabriel Medina ishin midis 200 të ftuarve në “Pavijon Gabriel”, pranë Shomps-Eliyzesë.
Futbollisti më i shtrenjtë në botë, i cili është duke u kuruar për një dëmtim në këmbën e djathtë, i përshëndeti të ftuarit e tij duke u mbështetur në dy paterica të kuqe të dallueshme, në përputhje me temën e ngjyrave për “Nuit Rouge” (Nata e kuqe). Ndër të ftuarit ishin, Di Maria, Paredesi, Dani Alveshi, Bufoni, Verrati, Kavani, Areola, e të tjerë. Nejmari, i cili ka mbushur 27 vjeç të martën, do të humbasë të dyja ndeshjet e fundit të Paris SG-së në Ligën e Kampionëve.
Në fakt, Nejmari është në një shoqëri të mirë, përsa i përket datës 5 shkurt, sepse në këtë datë festojnë datëlindjen edhe Kristiano Ronaldo, që mbush 34 vjeç, Karlos Tevez, 35 vjeç, dhe ish-futbollisti legjendar i Rumanisë, George Hagi, 54 vjeç.