Adriatik Balla 12.05.2015 10:30
Sulmuesit tanë po përjetojnë momente të shkëlqyera me klubet e tyre në Evropë. Shënojnë rregullisht dhe janë në qendër të vëmendjes, madje duke spikatur ndër golashënuesit më të mirë në ligat ku aktivizohen.
Ditët e fundit në majë ka qëndruar Hamdi Salihi, i cili ndihet i rilindur, por një paraqitje fantastike po bëjnë dhe tre sulmuesit e tjerë të përfaqësueses, konkretisht Sokol Cikalleshi e Bekim Balaj në kampionatin kroat dhe Shkëlzen
Gashi me Bazelin në Superligën zvicerane, madje ky i fundit kryeson edhe listën e golashënuesve me 21 gola vetëm në kampionat dhe ka gjasa ta fitojë këtë çmim për të dytin vit radhazi.
Një ecuri e tillë fantastike nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së trajnerit të Kombëtares Xhovani de Biazi, i cili ka përshëndetur sulmuesit dhe u ka bërë të qartë atyre se dyert e përfaqësuese mbeten gjithmonë të hapura për sulmuesit dhe ata që janë në formë.
Me pak fjalë, miqësorja e radhës që luajmë ndaj Francës do të jetë një test i fortë për sulmuesit, të cilët, me siguri që do të gjejnë hapësirë aktivizimi të katërt në fushën e lojës, sepse po kalojnë një periudhë të shkëlqyer me golat e pasimet e shumta për gol.
Në fakt, në Kategorinë Superiore nuk ka më golashënues shqiptarë. Aty komandojnë kroati Pero Pejiç dhe serbi Stevan Raçiç. Po ku kanë shkuar sulmuesit tanë? Ata po shkëlqejnë në kampionatet e huaj.