Gjergj Vyshka 07.01.2015 09:15
Për dhjetë ditë blutë do të bëjnë stërvitje në ora 13:00, por pas kthimit të Kukësit çështja koklavitet. Ndodh dhe kështu, Dinamo e Sopoti kanë ndarë fushën në mes për të zhvilluar seancat e tyre stërvitore. Blutë, ashtu sikurse kishin bërë dhe të hënën, dje në ora 11:00 kanë qenë në fushën me bar artificial të ish-kompleksit blu. Por në të njëjtën orë është shfaqur dhe Sopoti, që sipas burimeve zyrtare pranë drejtorisë së Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, është me kontratë të rregullt për të bërë stërvitje në ish-kompleks.
Dhe në këto kushte, ndonëse disa herë juristët e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve i kanë bërë thirrje Dinamos dhe administratorit Ismet Saliaj që të vijë të bëjë kontratën për të qenë njëlloj si të tjerët, blutë kanë qenë të detyruar që t’i kërkojnë leje trajnerit të Sopotit, Gentian Stojku. Duket se prania e drejtorit të Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, i cili së bashku me të tjerë ka qenë i interesuar për heqjen nga fusha të një peme të rrëzuar gjatë natës nga era, ka gjetur dhe akordin mes palëve. Që do të thotë se në gjysmëfushë ka bërë Dinamo, kurse në gjysmëfushën tjetër Sopoti.
Në fakt largimi i Kukësit për 10 ditë në Antalia, atje ku dhe do të zhvillojë periudhën përgatitore, i ka krijuar shansin Dinamos që të bëjë stërvitje në ora 13:00. “Por pas dhjetë ditësh çfarë do të bëjmë?”. Kjo ka qenë pyetja e ngritur nga stafi teknik i Dinamos, por dhe administratori i bluve, Ismet Saliaj, në një kohë që lojtarët janë stërvitur në dhomat e zhveshjes së kompleksit të pishinave e më pas kanë ardhur me vrap në fushën me bar artificial. Gjithsesi dinamovitët e kanë kryer të plotë seancën stërvitore, pavarësisht rrëmujës së krijuar me praninë e skuadrës së Sopotit në të njëjtin orar me blutë.