Nga Gjergj Vyshka 12.11.2015 09:40
Jemi në finale e Evropianit, por nuk po na marrin seriozisht. Jemi ende duke festuar e për festë do te shkojmë të premten në Prishtinë në një miqësore që nuk ka lidhje me atë qe do bëjmë dhe duhet të bëjmë në Francë më 2016. Nuk na pranon Kroacia dhe Polonia për miqësore sepse bota ka kushte dhe punon sot për gjashtë muajt e ardhshme. Nuk na vjen as Finlanda e as Islanda.
Dhe ashtu si herët e tjera kemi përfunduar në një miqësoren me një nga ish-Republikat e Bashkimit Sovjetik. Këtë herë Gjeorgjia. Ndoshta jo vetëm për të mbyllur “Qemal Stafën” në rindërtim, po pse jo edhe për t’i thënë Xhovani De Biazit “e nise me Gjeorgjinë më 2012-ën dhe e mbyll po me Gjeorgjinë”. Mund të duket si paragjykim, po në Shqipëri jetojmë…
E duke u kthyer tek miqësoret, po në mars e në maj? Të tjerët e dinë se kë do të kenë kundërshtar jo tani, por edhe pas një viti. Fqinji jonë Italia të premten luan me Belgjikën dhe më 17 nëntor 2015 me Rumaninë. Më tej akoma më 24 mars 2015 luan një miqësore luksi me Spanjën dhe më 29 mars 2015 një tjetër me Gjermaninë. Sepse bota punon jo sot për sot, por sot për nesër.
E kur Evropa i ka planifikuar miqësoret atëherë do të përfundojmë në miqësore të rangut të dytë ose më e keqja fare pa ndeshje sepse nuk po na marrin seriozisht. Sepse jemi në të vegjël në mendje dhe do të vazhdojmë të festojmë vajtjen në France edhe pas gjashtë muajsh. E kështu s’kemi asgjë në vijë. Miqësore luksi si ato të një viti më parë si me Francën dhe Italinë s’na jep më njeri po nuk ditëm të bindim ne që jemi finalistë jo vetëm në fushë…