AlbanianSport.com 25.05.2015 19:55
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, rreth 400 hendbollistë e zyrtarë pritet të qëndrojnë në Prishtinë e Gjakovë nga 18 deri më 26 qershor 2015. Australia ka caktuar ekipin me të cilin do të udhëtojë për në Kosovë pas afro një muaji. Australia është njëra prej 18 përfaqësueseve botërore në hendboll, që do të garojë në Kampionatin e Shteteve që po rriten në këtë sport, që do të mbahet në Kosovë nga 18 deri më 26 qershor 2015.
Kjo veprimtari organizohet për herë të parë nga Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF). Qëllimi i garës është të ndihmojë zhvillimin e hendbollit në vendet ku ky sport nuk është ende shumë i zhvilluar. IHF-ja e ka përzgjedhur Kosovën që ta organizojë këtë kampionat, në të cilin do të luajnë ekipe me hendbollistë të rritur, por jo më të vjetër se 30 vjet. Australia do të përfaqësojë Oqeaninë në këtë ngjarje inauguruese që është prezantuar nga IHF-ja si pjesë e planit për zhvillim që e përkrah kjo Federatë.
Fillimisht është thënë se do të jenë 20 përfaqësuese, por dy prej tyre kanë hequr dorë. Nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë përfaqësuese tjetër të heqë dorë nga gara, por në turne do të jenë së paku 16 përfaqësuese. “Është ky kampionati i parë i shteteve në zhvillim, – ka thënë të dielën për mediat e Prishtinës Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci. – Zyrtarisht jemi informuar se prej 20 shteteve të ftuara dy janë tërhequr.”
“Nuk e dimë cilat, por ka mundësi që për arsye të ndryshme të tërhiqen edhe dy tjera, – ka vijuar ai. – Aktualisht janë 18 përfaqësuese që duhet të marrin pjesë.”