Gjergj Vyshka 10.10.2016 20:00
Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira në fundjavën e ardhshme organizon Kampionatin e 3-të të Ballkanit. Një veprimtari që, nga data 15, deri më 17 tetor 2016, do të organizohet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Veprimtaria ka interes dhe vëmendje të Shqipërisë si vendi organizator dhe janë marrë të gjitha masat, përfshi ndërtimin e infrastrukturës në bashkëpunim me bizneset dhe Bashkinë e Tiranës.
Kjo veprimtari synon të shpalosë Shqipërinë, të rrisë cilësinë dhe të sjellë masivizim tek të apasionuarit e këtij sporti. Sepse vetëm kështu do të kenë mundësinë që të ndjejnë krenarinë që një ditë të jenë kampionë brenda dhe jashtë atdheut. Zhvillimi i Kampionatit të 3-të Ballkanik është historik për Shqipërinë, pasi mundësohet përpjekjeve shumëvjeçare.
Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira ka organizuar në dy vjet më shumë se 20 veprimtarie vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Presidenti i Federatës Shqiptare së Ndeshjes së Lirë-AMMAF, Arjan Rizaj, njoftoi se, në këtë Kampionat të 3-të Ballkanik, do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Federatës Botërore të Ndeshjeve të Lira MMA, Kerrith Braun.
“Kerrith Braun, do të jetë i pranishëm gjatë zhvillimit të këtij Kampionati Ballkanik dhe do të krijojë mundësinë e promovimit të sportit tonë kombëtar shqiptar në mbarë botën”, – thuhet në njoftimin e fedaratës. Delegacioni i BMMAF do të përfaqësohet nga Presidenti Stanislav Nedkov. Dhe shpresohet që Shqipëria të bëjë një përfaqësim dinjitoz në këtë Ballkaniadë në Tiranë fundjavën e ardhshme.