AlbanianSport.com 08.05.2016 10:45
ASNN – Ish-lojtari i Skënderbeut, braziliani Bernardo Ribeiro, humbi jetën në fushë nga një atak kardiak. Një gjë e tillë është pohuar zyrtarisht edhe nga klubi korçar, në një postim në profilin e vet në rrjetin social “Facebook”. 26-vjeçari nuk ishte ndjerë mirë gjatë kohës sa ishte në fushë në miqësoren që po luante me skuadrën e tij, Friburguense.
Ribeiro ishte dërguar me ambulancë në spitalin më të afërt, ku më vonë ka ndërruar jetë. Zyrtarisht ende nuk është thënë se cili është shkaktari i vdekjes së futbollistit, por mediat vendase raportojnë për atak kardiak. Lojtari me origjinë nga Rio de Zhaneiro kaloi një vit i huazuar në kampionatin australian tek skuadra e Njukasëll Xhets.
Ndërkohë, ai është aktivizuar 12 vite me gjigantët bralizianë të Flamengos. Më pas, Ribeiro u transferua në Korçë për t’u shpallur “kampion” me Skënderbeun në sezonin 2011-2012. Kjo ngjarje vjen pas asaj në Rumani, ku lojtari i Dinamos së Bukureshtit, Patrik Ekeng, pësoi atak kardiak gjatë ndeshjes dhe ndërroi jetë në spital.