AlbanianSport.com 04/05/2021 18:40
ASNN – Janë luajtur këtë fundjavë ndeshjet e javës së 19-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femrave. Një javë e mbushur plot emocione dhe garë, që kurorëzoi ekipin shkodran të Vllaznisë “kampione” për herë të 8-të në “topkëmbën” e vajzave. Ndalesa e Apolonisë në shtëpi në ndeshjen ndaj Tirana AS dhe fitorja e Vllaznisë në Shkodër ndaj Partizanit, i dhanë shkodraneve titullin “kampion” edhe për këtë sezon.
Në Fier, Apolonia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 kundër kryeqytetaseve të Tirana AS, në një sfidë të çuditshme, ku të dyja skuadrat shënuan autogol në portat e tyre. Nga ky barazim, përfitoi Vllaznia e vendit të parë, që tashmë e sheh veten 10 pikë larg Apolonisë së vendit të dytë, kur ka edhe 3 javë të mbetura për t’u luajtur, pra edhe 9 pikë në lojë. Shkodranet fituan në shtëpi ndaj Partizanit, duke i mundur thellë, 11-0, dhe duke përfituar kështu nga gabimi i fierakeve.
Në kryeqytet, Tirana e vendit të 3-të bëri detyrën ndaj lushnjareve, të cilat u treguan të pafuqishme në këtë sfidë, duke u mundur me rezultatin 11-0. Lagunaret vazhdojnë të jenë të renditura në vendin e parafundit në kampionat ndërsa Tirana renditet e 3-ta, në ndjekje të Apolonisë së vendit të dytë. Në Korçë fituan shkodranet e Juban Danjës. Vajzat e Skënderbeut nuk ia dolën dot të përmbysnin rezultatin, me një ndeshje që filloi që në minutën e dytë që takimit, kur Vasa e Juban Danjës kaloi në epërsi shkodranet.
Tri minuta më vonë, do të ishin korçaret ato që do të barazonin rezultatin, por nuk arritën dot ta ruanin atë. Shkodranet shënuan edhe katër herë të tjera në pjesën e parë me çerkinin, sërish Vasën, Tanushin dhe Cakën, ndërkohë që në pjesën e dytë, korçaret gabuan, duke u falur një tjetër gol. Sfida u mbyll me rezultatin 1-6 për skuadrën mike, me Skënderbeun që vijon të renditet e 10-ta, ndërsa Juban Danja e 4-ta.
Të dielën, sfida mes Kinostudios dhe Akademisë AAS përfundoi në favor të kryeqytetaseve, të cilat mundën thellë shkodranet me rezultatin 12-0. Bie në sy 4-golëshi i Doçit, 3-golëshi i Lulajt dhe dygolëshi i Xhabrahimit. Kinostudio renditet e 6-ta, me 30 pikë të mbledhura në 19 javë kampionat, ndërsa Akademia AAS renditet dy shkallë më poshtë, me 15 pikë. Java u përmbyll këtë të hënë me ndeshjen Teuta-Bilisht Sport që përfundoi me rezultatin 6-0.
Bilisht Sport vazhdon të renditet kështu në vendin e fundit në kampionat, me vetëm një pikë të grumbulluar gjatë gjithë sezonit, ndërsa durrsaket në vendin e 8-të, me 18 pikë.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 19-të:
Vllaznia – Partizani 11-0
Apolonia – Tirana AS 1-1
Skënderbeu – Juban Danja 1-6
Tirana – Lushnja 11-0
Teuta – Bilisht Sport 6-0
Kinostudio – Akademia AAS 12-0
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Vllaznia 57
- Apolonia 47
- Tirana 43
- Juban Danja 40
- Tirana AS 38
- Kinostudio 30
- Partizani 28
- Teuta 18
- Akademia AAS 15
- Skëndërbeu 9
- Lushnja 4
- Bilisht Sport 1