AlbanianSport.com 27/01/2019 18:00
ASNN – Los Anxheles Lejkërs po kalojnë një moment aspak të mirë në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA, ku ka humbur mjaft ndeshje dhe rrezikon të mos kapë zonën e “play-off”-it. Në këtë situatë, sidomos pas humbjes ndaj Minesotës, lojtari më i mirë i skuadrës së Lejkërsave, LëBron Xhejms, ka kërkuar të shkarkohet trajneri Ljuk Uolton.
Referuar asaj që shkruan rrjeti televiziv “ESPN”, “mbreti” Xhejms u ka kërkuar sponsorëve dhe pronarëve të klubit të shkarkojnë trajnerin dhe ta zëvendësojnë me një tjetër, në mënyrë që ekipi të gjejë ekuilibrat e dëshiruar dhe të marrë më shumë rezultate pozitive për të mbajtur të gjalla objektivat e skuadrës.
Megjithatë, pavarësisht kërkesës së të madhit LëBron Xhejms, duket se pronarët e klubit nuk janë të bindur për të bërë ndryshime në staf dhe nuk besohet se do ta shkarkojnë trajnerin. Përkundrazi, një prej përfaqësuesve të pronarëve theksoi për mediat se ata ishin tepër të kënaqur nga puna e trajnerit.
Los Anxheles Lejkërs mban vendin e katërt në Konferencën e Perëndimit, por nuk ka siguri për vazhdimësinë, edhe pse në fazën tjetër shkojnë tetë ekipet e para. Duke mbrojtur trajnerin dhe duke dalë kundër vullnetit të lojtarit Xhejms, pronarët duket se janë ftohur me “mbretin”.
Dhe ekzistojnë tashmë mundësitë që basketbollisti numër një i NBA-së të kalojë sezonin tjetër në radhët e ndonjë klubi tjetër amerikan.