AlbanianSport.com 06/02/2019 16:40
ASNN – Los Anxheles Lejkërs po vuajnë në Konferencën e Perëndimit të kampionatit të basketbollit amerikan (NBA). Të mërkurën, skuadra ku luan LëBron Xhejms pësoi disfatë të rëndë në nga Indiana me shifrat e thella 136-94. Ishte një disfatë e turpshme për Lejkërsat, që tani jo vetëm kanë rënë në vendin e 10-të, por njëherësh kanë regjistruar disfatën e 27-të në 54 ndeshje të luajtura, duke vënë në rrezik serioz kualifikimin për në “play”-off”, kualifikim që e siguron të paktën vendi i 8-të në renditjen e sezonit të rregullt.
Vetë mbreti “Xhejms” nuk la asnjë gjurmë në këtë ndeshje. Madje mediat amerikane e cilësuan paraqitjen e tij më të dobëtën e këtij sezoni dhe një prej më të dobëtave në karrierën e tij. LëBron Xhejms realizoi 18 pikë, dha 9 pasime për kosh dhe kapi 7 topa në tabelë, duke qenë larg pritshmërive të tij dhe pritshmëritë e Xhejms janë për gati dyfishin e pikëve, pasimeve dhe zotërimit të topit në tabelë. Me pak fjalë, një ndeshje për t’u harruar për Los Anxhelos Lejkërs dhe yllin e saj LëBron Xhejms, të cilët pësuan disfatë të rëndë në këtë takim.
Kampionati i sivjetshëm i NBA-së në SHBA po dhuron emocione të forta dhe një rivalitet të spikatur si në Konferencën e Lindjes, ashtu dhe në atë të Perëndimit. Në perëndim janë Gollden Stejti dhe Denveri që po spikasin dhe po shkojnë “majë më majë” për të qenë në vend të parë, madje janë në kuotë të barabartë pikësh, ndërsa në konferencën e Lindjes, me siguri që në fund do të jetë Toronto që do ta mbyllë garën në vend të parë, edhe pse ka një diferencë fare të vogël me ndjekësit. Në të vërtetë, në Lindje vendin e parë aktualisht e mban Miluoki Baks, pastaj vjen Toronto dhe të dyja skuadrat kanë nga 39 fitore deri në këtë moment.