AlbanianSport.com 13/03/2019 20:10
ASNN – Kampionati Amerikan i Basketbollit (NBA) vijon të dhurojë emocione dhe spektakël ndeshje pas ndeshje dhe javë pas jave, teksa ka hyrë në fazën vendimtare të tij për renditjen ekipore. Skuadra e madhe kaliforniane, Los Anxheles Lejkërs, është kthyer më në fund tek fitorja, pas 5 humbjesh radhazi, duke mundur Çikago Bulls me rezultatin, 123-107.
Ishte një ndeshje mjaft e fortë dhe u duk se Lejkërsat do të pësonin disfatën e radhës, pasi humbën çerekun e parë të lojës me shifrat 34-16. Një diferencë e frikshme prej 18 pikësh, por që me zgjuarsi dhe këmbëngulje Lejkërsat e kthyen në pjesët në vijim. Kështu, çereku i dytë i lojës u fitua nga skuadra kaliforniane me shifrat 39-26, duke e zbutur disi diferencën e krijuar në atë të parën.
Më tej, në pjesën e tretë të lojës Lejkërsat do të regjistronin një fitore shumë të thellë, duke fiksuar shifrat 43-24 dhe rrjedhimisht duke e përmbysur takimin. Në 10-minutëshin e katërt dhe të fundit, skuadrës së Los Anxheles Lejkërs iu desh vetëm të administronte epërsinë, madje falë saktësisë në veprime ia doli të fitojë dhe këtë pjesë loje me shifrat 25-23 dhe krejt takimin 123-107.
Në këtë fitore të Lejkërsave pati një vëmendje të veçantë LëBron Xhejms, i cili realizoi 36 pikë, dha 4 pasime ideale koshi dhe rikuperoi në tabelë plot 10 topa. Pavarësisht fitores, Lejkërsat e kanë thuajse të pamundur të kapin top-8 vendet e para që të çojnë në “play-off” dhe shanset realisht janë vetëm teorike, pasi praktikisht do të ishte një mrekulli nëse realizohet.
Rezultatet e mbrëmshme:
Indiana Pejsërs – Nju Jork Niks 103-98
Çikago Bulls – LA Lejkërs 107-123
Nju Orlins Pelikens – Miluoki Baks 113-130
Dallas Maverick – San Antonio Spërs 105-112
Denver Nagets – Minesota Timbërvulvs 133-107
Los Anxheles Klipërs – Portlend Trejblezërs 104-125