AlbanianSport.com 27/03/2019 19:00
ASNN – Kampionati Amerikan i Basketbollit, NBA, po shkon drejt fundit për këtë sezon dhe klubet po bëjnë llogaritë e objektivave të tyre në fazën finale. Një prej skuadrave të dështuara është padyshim Los Anxheles Lejkërs, e cila nuk ia doli të kapë në renditje top-8 të klasifikimit në Konferencën e Perëndimit. Ky është viti i 6-të radhazi që Lejkërs dështojnë të kapin zonën e “play-off”-it.
Sipas gazetës së njohur “Nju Jork Tajms”, trajneri i Lejkërsave, Ljuk Uollton do të shkarkohet brenda muajit prill dhe klubi ka nisur të shqyrtojë emrat e kandidatëve për t’i zënë vendin. Një lëvizje e tillë pritet të ndodhë në fund të muajit prill dhe klubi ka pranuar indirekt që të bisedojë me basketbollistin e shquar të skuadrës së tij, LëBron Xhejms për emrin e trajnerit që do të pasojë Uolltonin.
Emrat e përfolur si kandidatura të mundshme janë Dok Rivers, Tajron Lju, Xhejson Kid si dhe Rik Karlisëll. Nga këta emra, Rivers shihet si kandidaturë potenciale, sepse atë duket se e pëlqen vetë LëBron Xhejmsi. Ky i fundit ka deklaruar hapur se do të pëlqente një trajner me të cilin ka marrëdhënie të mira. Prej kohësh Xhejms kishte deklaruar largimin e trajnerit, si i papërshtatshëm.
Por klubi i kishte dalë vazhdimisht kundër, duke e konfirmuar trajnerin. Me pak fjalë, për Los Anxheles Lejkërs kjo është kohë revolucioni, një transformim që do të ndodhë duke nisur nga stoli.