AlbanianSport.com 30/10/2018 12:30
ASNN – Basketbolli amerikan viijon të prodhojë emocione dhe spektakël në çdo javë të tij. Së fundmi u regjistrua edhe një rekord i ri sa u takon 3-pikëshave në një ndeshje, ku në takimin Gollden Stejt-Çikago Bulls, basketbollisti Klei Thompson shënoi 14 kosha trepikësh, duke vendosur kështu një rekord të ri dhe një arritje historike.
Gollden Stejt fitoi me shifrat 149-124, por Thompson me 14 koshat e tij trepikësh, në total me vlerë 52 pikë, bëri diferencën për kryesuesit e Konferencës së Perëndimit. Sa i takon rekordit të mëparshëm, me 13 kosha trepikësh, ishte regjistruar nga Stef Këri në vitin 2016, lojtar po i Gollden Stejt, në duelin kundër Nju Orlins Pelikans.
Në këtë ndeshje, “Luftëtarët” shënuan në pjesën e parë të lojës 92 pikë, kundrejt 50 të rivalit, pra një diferencë prej 42 pikësh, më e madhja e regjistruar ndonjëherë për një pjesë loje nga një skuadër udhëtuese dhe kjo dëshmon se Gollden Stejt është këtë edicion një skuadër e papërmbajtshme.