AlbanianSport.com 05/01/2024 14:55
ASNN – Napoli dhe Milani e kërkojnë, por edhe Roma e projekton pas Murinjos. Kështu, atë e kërkon Napoli dhe Milani, ndërsa pak më pas qëndron Roma, aty ku nuk është zgjidhur ende dilema për të ardhmen e Murinjos. Kështu pra janë 3 kandidatë për Antonio Konten, i cili ka vendosur t’i rikthehet punës, madje në Itali, dhe me synimin për të mos patur si përparësi pagën, pasi më e rëndësishme për të është që të rikthehet të fitojë dhe për të rigjetur adrenalinën.
Pas një pushimi të gjatë që kur u largua nga Totenhemi, atë e kërkon Napoli dhe Milani, me De Laurentiisin dhe Ibrahimoviçin që e promovojnë në klubet përkatëse, ndërsa pak më pas qëndron Roma, aty ku nuk është zgjidhur ende dilema për të ardhmen e Murinjos. Kështu pra janë 3 kandidatë për Konten, me Napolin që bëri hapa konkretë edhe pas shkarkimit të Rudi Garsias nëntorin e kaluar, me presidentin De Laurentiis që e kërkonte që atëherë, për të devijuar më pas te Maxarri.
De Laurentiisi do ta provojë sërish në qershor, por do të ketë një konkurrent të fortë, konsulentin e ri të Milanit, Zllatan Ibrahimoviçin. Suedezi e dëshiron Konten në stolin e kuqezinjve, me trajnerin që do të ishte i lumtur për të pranuar sfidën që të fitojë edhe në krahun tjetër të Milanos, pas titullit me Interin. Por duhet bindur pronari Xherri Kardinale, i cili prej kohësh ka shfaqur dëshirën për ta rritur klubin pa çmenduri financiare, pasi me Konten do t’i duhet të shpenzonte menjëherë shumë miliona për një merkato me peshë që do të kënaqte trajnerin.
Konte dëshiron të fitojë në afate të shkurtra, një vullnet ky që ekziston edhe nga mjedisi kuqezi i lodhur tanimë nga Pioli, lamtumira e të cilit në fund të sezonit duket e pashmangshme. Duhet patur kujdes edhe Roma. Zhoze Murinjo e ka thënë publikisht se dëshiron të qëndrojë, por pronarët Friedkin nuk kanë folur për momentin. Mourinjo ka një kontratë që skadon në 2024-ën, por edhe një lloj “joshjeje” nga Brazili. Për Romën paga e Kontes nuk do të ishte një problem, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për merkaton me kufizimet e shumta të vendosura nga “Fair Play”-i financiar.
Sidoqoftë, loja sapo ka nisur dhe e sigurt është se Konte dëshiron të kthehet shpejt protagonist.