AlbanianSport.com 04/02/2019 23:55
ASNN – Drejtori i klubit “Studenti” në volejboll për meshkuj, Blendi Nallbani, e cilëson ngërçin e krijuar me pezullimin e “Studentit” nga Federata Shqiptare e Volejbollit si burokratik e aspak të lidhur me krizën financiare. Bëhet fjalë për një shumë, sipas tij, qesharake, prej 200 mijë lekësh të vjetra, të cilat duhej të derdheshin që në verën e kaluar për shkak të transferimit të dy lojtarëve.
Por nuk u bënë për shkak se klubi kaloi si administrim nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Në një prononcim për të përditshmen sportive shqiptare “Panorama Sport”, Nallbani ka sqaruar edhe pozicionin e klubit në këtë histori, duke shtuar se po përpiqet ta zgjidhë ngërçin dhe Studenti të fillojë të luajë normalisht në kampionat.
“Siç e dini, klubet shumësportësh të Partizanit dhe Studentit kaluan me VKM nën administrimin e Bashkisë së Tiranës, – shprehet Nallbani, – dhe pas ndryshimit, na ka mbetur një shumë prej 20 mijë lekësh të rinj pa shlyer kundrejt Federatës Shqiptare të Volejbollit për shkak të transferimit të dy lojtarëve gjatë vitit të kaluar. Në fakt, FSHV-ja na njoftoi që në muajin tetor, por ne s’kishim mundësi të bënim veprime financiare. “
“Megjithatë, para pak ditësh ne bëmë depozitimin e firmës në Ministrinë e Financave, sepse, për shkak se klubi ndryshoi varësi, është në pritje të daljes së pagave. Pra problem nuk është financiar, sepse Bashkia e ka rritur buxhetin për klubin, por është ngërç burokratik. Madje me buxhetin e ri nga Bashkia “Studenti” nuk do të jetë klub i dorës së dytë por një pretendent. Këtë ta dijë federata, por edhe publiku”, – theksoi ndër të tjera drejtori i klubit “Studenti”, Blendi Nallbani.