AlbanianSport.com 23.12.2014 13:35
ASNN – Naftëtari, edhe duke u mundur 0-3 të shtunën e kaluar në “Roza Haxhiu” të Lushnjës, është në vendin e fundit në renditje të grupit të Jugut të Kategorisë së Parë. Vetëm 11 pikë në dymbëdhjetë javë, por dhe një gjendje që nuk të lë shumë të shpresosh për mbijetesë në Kategorinë e Parë, i kanë detyruar kuçovarët që të kërkojnë shkaktarët.
Madje ia kanë kërkuar atë tifozëve nëpërmjet faqes në “Facebook”, KF Naftëtari, sepse ato janë më të ndjeshëm për gjendjen e vështirë që po kalon skuadra. “Pa ofendime dhe pa sharje, kush mendoni se cili është shkaku i pozicionimit në fundin e renditjes?” Kjo ka qenë pyetja që kanë hedhur drejtuesit e skuadrës për tifozët. Në një bilanc të shpejtë, në 12 javë kampionat, Naftëtari ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar 17.
Mirëpo kjo situatë është e papëlqyer për tifozët, të cilët shpresonin që Naftëtari të kishte një jetë më të gjatë në Kategorinë e Parë. Megjithatë, përtej përgjigjeve që do të japin tifozët, ndërsa skuadrat e tjera janë duke kërkuar se cili është lojtari më i mirë për pjesën e parë të kampionatit, në Kuçovë shpresojnë që Naftëtari të jetë krejtësisht ndryshe në gjysmën e dytë të sezonit.