AlbanianSport.com 21.01.2015 22:05
ASNN – Nikolas Karakashi, të paktën edhe sipas faqes në facebook të KF Naftëtarit, është vetëm 13 vjeç. Por duke luajtur me një ekip më të madh se mosha e tij, që është e kategorisë së Nën-15-vjeçarëve, tregon se jo vetëm që është një talent në rritje, por mbi të gjitha një vlerë e çmuar për futbollin kuçovar.
Ai po lë përshtypje mjaft të mira me aftësitë e tij gjatë kampionatit të paratërinjve. Edhe pse dy vjet më i ri se bashkëmoshatarët e tij dhe kundërshtarët, prania në fushë bën diferencën, ku këtë javë ka shënuar dy gola. Ai në këtë moshë ka marrë pjesë në shumë kampe e akademi klubesh.
Këtu vlen të përmendet “Milan Junior Camp”, ku ka marrë shumë përvoja dhe ka treguar aftësitë e veta. Specialitet i tij janë gjuajtjet dhe driblimet dhe aftësitë e tij konsiderohen si të jashtëzakonshme nga trajneri i tij dhe jo vetëm. Me dëshirë që një ditë të bëhet futbollist i madh, ai vazhdon me plot entuziazëm të stërvitet dhe të vazhdojë të shënoj gola. “E ardhmja i takon Kolës”, kështu janë shprehur kuçovarët.