AlbanianSport.com 12.09.2016 17:05
ASNN – Sa më shumë afrohet nisja e Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që është duke u pritur me interes në Kuçovë, aq më shumë po rritet doza e optimizmit te kuçovarët, të cilët besojnë se do të jenë një kategori më lart në sezonin e ardhshëm. E doza e optimizmit është e madhe tek kuçovarët, sepse deri më tani përgatitjet kanë qenë intensive dhe pretendimet jo vetëm që janë rritur, por dhe janë serioze për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.
Dhe padurimi është i madh, ndërsa duhet kuptuar si i arsyeshëm tek lojtarët, sepse Naftëtari nuk e meriton të qëndrojë në Kategorinë e Dytë. E për të gjithë ka nisur numërimi mbrapsht që do të jetë deri në vërshëllimën e fundit të sezonit 2016-2017 të Kategorisë së Dytë. Dhe garancia për suksesin vjen dhe nga lojtarët e një gjë të tillë e shpreh dhe mesfushori Ardian Gega, i cili do të deklaronte: “Skuadra është duke u konturuar më së miri për sa i përket përbërjes së saj në këtë periudhë”.
“Mund të deklaroj i sigurt se pas dy ndeshjeve miqësore ekipi është duke marrë kolaudimin e nevojshëm dhe garantoj me bindje se për dy javë deri në fillimin e sezonit të Kategorisë së Dytë do të jemi plotësisht gati, – ka vijuar futbollisti i kuçovarëve. – E jo vetëm kaq, por ngjitja në Kategorinë e Parë është një objektiv që ne me përbërjen që kemi as nuk e diskutojmë aspak. E ndjejmë detyrimin që kemi ndaj sportdashësve tanë dhe presidentit për të rikthyer Naftëtarin në vendin që i takon.”
Duhet theksuar se Ardian Gega, së bashku me të vëllain, qendërsulmuesin Sajmir Gega, janë dy lojtarët më të mirë në dhjetëvjeçarin e fundit në futbollin kuçovar. E jo vetëm kaq, por kanë mbajtur peshën kryesore në këtë ekip, që tashmë, edhe duke pasur një trajner të sprovuar, si beratasi Kristaq Mile, e meriton të jetë një kategori më lart.