AlbanianSport.com 01.12.2014 19:55
ASNN – Fitorja e së shtunës në Berat ndaj Tomorit vendës duket se ka rezultat të dyfishtë. Sepse kuçovarët jo vetëm që e kanë quajtur një kthesë të madhe fitoren në Berat, e cila ka ardhur pas golit të Arsen Zylyftarit në minutën e 90-të, por me kalendarin në favor të skuadrës së trajnerit Petraq Bifsha janë të gjitha shanset që Naftëtari të mbijetojë.
Për hir të së vërtetës duhet pranuar se Naftëtari ka tre ndeshje në fushën e vet. Kështu në javën e nëntë, që shënon fundin e fazës së parë në grupin e Jugut, Naftëtari pret Bylisin në “Bashkim Sulejmani”. Ndërkohë që e nis fazën e dytë me dy ndeshje të tjera në shtëpi, sepse pret Pogradecin dhe më pas edhe Dinamon, pavarësisht se kjo e fundit pretendon të ngjitet në Superiore.
“Duhet të marrim pikët e plota nga këto ndeshje që të shmangim fundin e renditjes në Grupin e Jugut, ndërsa kundërshtari jonë direkt në luftën për mbijetesë, Shkumbini, këtë javë është mundur në Gjirokastër. Dhe ky është një plus i madh për ne për të qenë edhe sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë”, kanë thënë kuçovarët në faqen e tyre në rrjetin social “Facebook”.
Madje të gjithë shpresojnë që Apeli të ulë dënimin e dhënë nga Disiplina prej katër javësh pa tifozë për Naftëtarin. Sepse i bie që këto tre ndeshje, por dhe një më pas, të jenë pa tifozë për Naftëtarin, që është një humbje e madhe. Gjithsesi tashmë të gjithë shpresojnë tek mbijetesa.