AlbanianSport.com 29.11.2014 10:55
ASNN – Naftëtari është dënuar të mërkurën nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të futbollit që të luajë katër javë pa tifozë për shkak të problemeve që ka pasur në ndeshjen me Sopotin, atje ku duket se janë hedhur dhe sende të forta. Dhe në këtë mënyrë, teksa sipas drejtuesve kuçovarë pas derbit me Tomorin në Berat janë tre ndeshje për t’u luajtur në stadiumin “Bashkim Sulejmani”, pikërisht ndaj Bylisit, Pogradecit dhe Dinamos, Naftëtari ndihet i tradhtuar.
Ndaj dhe nëpërmjet faqes së “Facebook”-ut KF Naftëtari drejtuesit kuçovarë u kanë bërë thirrje tifozëve të tyre, duke deklaruar: “Për të gjithë ata që vijnë në stadium për të sharë e për të qëlluar me gurë ju kujtojmë se është viti 2014 dhe është injorancë të gjuash me gurë në fushë. KF Naftëtari dënon këto gjeste dhe mënyra më e mirë për të mbështetur Naftëtari është që ata që kanë qëllime të vijnë në stadium për të goditur më mirë të mos vijnë fare.”
“Do të ishte një ndihmë e madhe për ekipin sikur këta persona të mos ishin fare në stadium, – vijojnë drejtuesit e Naftëtarit. – Tani që ekipi kanë nevojë për ne, ne nuk mund ta mbështesim, ndërsa pas ndeshjes me Tomorin në Berat na presin tre sfida të rëndësishme në fushën tonë ndaj Bylisit, Pogradecit dhe Dinamos. Sfida të cilat do të na jepnin mundësinë e artë për të grumbulluar pikë në fushën tonë, të cilat do të garantonin qëndrimin në Kategorinë e Parë.”
“Kurse tifozët e papërgjegjshëm bëjnë të kundërtën dhe të fundosin më keq!!!”, – kanë përfunduar drejtuesit e klubit kuçavar postimin e tyre në “Facebook”. Dhe kështu Naftëtari, i tradhtuar nga tifozët, duket se e ndjen që tani që sezonin e ardhshëm do të jetë përsëri në Kategorinë e Dytë.