AlbanianSport.com 05.10.2016 18:30
ASNN – Janë zhvilluar sot takimet e kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, dhe, duke qenë tanimë kjo është një veprimtari që nuk po merret seriozisht vitet e fundit, të paktën në këtë fazë, nuk mund të mungonin episodet e pazakonta. Tri nga 15 ndeshjet filluan me vonesë.
Laçi-Turbina, që zhvillohej në Kamëz, filloi 12 minuta me vonesë për shkak të mungesës së forcave të Policisë. Korabi-Kamza, që zhvillohej në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”, filloi me 32 minuta vonesë për shkak të mungesës së ambulancës, e cila kishte shkuar gabimisht në Pezë-Helmes.
Edhe Vllaznia-Mamurrasi, që zhvillohej në fushën stërvitore “Reshit Rusi”, ka filluar 27 minuta me vonesë për shkak të pamjaftueshmërisë të forcave të rendit. Surpriza më e madhe e këtij turi është eleminimi i Korabit, ekipi i Kategorisë Superiore i cili u eleminua nga Kamza.
Nesër do të luhet edhe takimi i fundit i këtij turi, ai mes Partizanit dhe Kevitanit. Takimi i parë është fituar thellësisht nga të kuqtë, 5-1. Të 15 ekipet që janë kualifikuar për më tej janë Skënderbeu, Kukësi, Tirana, Laçi, Bylis, Luftëtari, Dinamo, Apolonia, Teuta, Vllaznia, Flamurtari, Tërbuni, Kamza, Kastrioti dhe Besëlidhja.