Gjergj Vyshka 19.12.2014 16:15
Kombëtarja e volejbollit të meshkujve, e drejtuar nga Ylli Tomori, është grumbulluar dje për të zhvilluar seleksionimin e saj të dytë me lojtarët e kampionatit. Ka qenë një fazë seleksionimi e dytë e paralajmëruar jo vetëm nga Tomori, por dhe nga Federata Shqiptare e Volejbollit, e cila më 10 dhjetor ka shpallur listën e lojtarëve që duhet të ishin në stërvitje, si dhe kërkesën që klubet të merrnin masat për njoftimin e tyre. Mirëpo ka ndodhur më e papritura, ndërsa njoftimi i Federatës Shqiptare të Volejbollit duket se ka rënë në vesh të shurdhët.
Sepse lojtarët e Teutës dhe Tiranës, teksa sipas të parit të pankinës kuqezi kanë ndeshje mes tyre në kampionat, nuk janë lejuar të vijnë në këtë grumbullim të kombëtares. Ndaj dhe për këtë është revoltuar trajneri i kombëtares kuqezi, Ylli Tomori, i cili më së shumti është revoltuar për mospraninë e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Volejbollit. Jo sikur të ishte një grumbullim i kombëtares, por sikur të ishte stërvitje klubi. “Unë nuk e kuptoj këtë lloj refuzimi, sepse ne këto seleksionime nuk po i bëjmë kot”, – ka deklaruar ai.
“Po i bëjmë për të mos i nënvlerësuar lojtarët e kampionatit, përkundrazi po e bëjmë që t’i japim stimul atyre që të stërviten më shumë, – ka vijuar trajneri i kombëtares kuqezi të rrjetës së meshkujve. – Çfarë ndryshon nga një stërvitje e një skuadre klubi me kombëtaren? Përkundrazi është vlerësimi që ata duhet të kenë për kombëtaren. Sepse të jeni të sigurt që Teuta-Tirana nuk është as finale e Kupës së Shqipërisë, as finale për titull kampion, por një ndeshje e zakonshme e kampionatit, e cila nuk zgjidh asgjë për “play-off”-in.”
“Edhe Vllaznia ka ndeshje kampionati, edhe Elbasani ka ndeshje kampionati, por dhe Farka Volej apo Studenti, – ka vijuar Tomori. – Por ama i kanë sjellë lojtarët e tyre në këtë seleksionim. Dhe unë duhet të vlerësoj lojtarët shkodran që kanë bërë të gjithë atë rrugë, mes trafikut, duke lënë dhe punët e tyre për të ardhur në seleksionim. Parë kështu atëherë është e kot të vazhdojmë me seleksionime nëse do të vazhdohet të refuzohet pafundësisht ardhjet në këto seleksionime. Për mua është shumë e thjesht ta them që tani që këto lojtarë që nuk erdhën s’janë më pjesë e ekipit.”
“Atëherë çfarë u fitua? – ka theksuar ai. – Ne kemi bërë një kombëtare të moshës deri në 25 vjeç, por kemi zgjedhur dhe dy ndihmesa si Tukseferi dhe Kasa, të cilët edhe pse janë lojtarë aktiv, janë të gatshëm për të qenë nesër trajner. Ç’rëndësi ka në janë të Studentit, apo jo. Puna është hajde të bëjmë diçka të mirë bashkë për kombëtaren.” I pari i pankinës kuqezi madje e ka pasur dhe një sugjerim për Federatën Shqiptare të Volejbollit, e cila në rastin e refuzimit të ardhjes në kombëtare mund të marrë dhe masën e pezullimit në ndeshje të lojtarëve të Teutës dhe Tiranës.
“Duhet të dimë që në kombëtare sigurisht që peshën nuk do ta mbajnë lojtarët e kampionatit, por ata që luajnë në kampionate jashtë vendit. E kam fjalë për Suxhon, Xhelatin, Husajn, Trokën, Kelmendin, apo dhe ndonjë tjetër, ndërsa bëhen shtatë lojtarë të mirë për këtë kombëtare. Por kjo e sotmja nuk ishte normale”, – ka përfunduar Tomori, ndërsa ua ka bërë të ditur lojtarëve dje në stërvitje se një grumbullim i tillë mund të bëhet dhe në Shkodër, në Elbasan, apo në Farkë. Sepse, sipas tij, vetëm kështu mund të forcohet miqësia mes lojtarëve dhe nuk ka nevojë për ndasi të tilla që i prishin punë sportit shqiptar.
Dhe në stërvitje kanë munguar Biduli, Estrefi, Jurgen Dashi, Ani Vora, Eraldo Vora të Teutës, si dhe Xhabrahimi, Pepa dhe Kola të Tiranës.