AlbanianSport.com 26/12/2018 19:55
ASNN – Mungesa e sulmuesve në qarkullim ka sjellë një situatë aspak të këndshme në Superiore, pasi klubet që dëshirojnë të forcojnë repartin e përparuar nuk kanë alternativa të mjaftueshme. Llogaritë janë të thjeshta: sulmuesit e mirë kushtojnë shumë dhe ata që vijnë nga jashtë jo vetëm që nuk japin garanci por janë njëherësh shumë të shtrenjtë. Nga ana tjetër, sulmuesit vendas në këtë moment janë në krizë.
Ka shumë pak gola të shënuar dhe për këtë shkak ky është kampionati më i varfër në më shumë se 30 vjet sa i përket numrit të golave (asnjë skuadër nuk kalon koeficientin 1.5 gola për ndeshje). Emra si Bregu, Kallaku, Asani, e ndonjë tjetër, që janë të rinj premtues, nuk kanë kaluar shifrën e 6 golave në 18 javë garë, kështu që nuk mund të cilësohen sulmues të mëdhenj.
I vetmi që besohet se bën ndryshim është Vasil Shkurtaj. Sulmuesi vlonjat i Luftëtarit ka shënuar shtatë gola me Luftëtarin, një skuadër që lufton për mbijetesë në Superiore. Shkurtajn e kërkojnë të gjitha klubet që pretendojnë titullin, por në orët e fundi ai është “ndarë” mes Partizanit dhe Kukësit. Presidenti i skuadrës së Kukësit, Safet Gjici, deklaroi pak ditë më parë se kishte arritur akordin me lojtarin.
Dhe mbetej të diskutohesin vetëm detajet financiare, por situata ka marrë një kthesë të papritur. Në lojë është futur edhe Partizani, të cilit i mungon një futbollist i mirë në vijën e parë. Skënderbeu, për herë të parë pas 7 vjetësh, nuk është i preferuar, kështu që Shkurtaj do të jetë objektiv i përbashkët i të kuqve kryeqytetas dhe rivalëve të tyre verilindorë.
Të gjitha palët pretendojnë se kanë arritur akordin, por do të jenë ditët e para të janarit që do të përcaktojnë edhe destinacionin përfundimtar të sulmuesit vlonjat në Superiore.