Gjergj Vyshka 19.10.2016 07:55
Shqipëria e mundjes ka ardhur me katër medalje nga Kampionati Ballkanik i mundjes për shkollorë, që është zhvilluar fundjavën e kaluar në Bursa të Turqisë. Sipas asaj që ka pohuar për “Sport Ekspres” Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndriçim Spahiu, numërohet një medalje argjendi dhe 3 medalje bronzi për kuqezinjtë në Bursa.
Kështu Julian Shehu në peshën 47 kg ka marrë medalje argjendi, ndërsa 3 medaljet e bronzit kanë ardhur David Petoshati, në peshën 47 kg, Orges Dauti, në peshën 53 kg, dhe Klajdi Kapllanaj, në peshën 66 kg. Sipas Spahiut, përfaqësimi i mundësve të rinj ka qenë dinjitoz, ndërsa gjatë ditëve të qëndrimit në Bursa janë zhvilluar dhe takime me drejtuesit më të lartë të Federatës së Mundjes së Turqisë.
Pikërisht me Presidentin Musa Ajdin dhe Sekretarin e Përgjithshëm Adem Varlik. Ndërkohë për të gjithë pjesëmarrësit në Ballkaniadë, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Spahiu, kryetari i Bashkisë së Bursës, Rexhep Ajlik, ka rezervuar dhe një pritje të veçantë, ndërsa Shqipëria ka marrë përkrahje dhe mbështetje nga Federata e Turqisë për bashkëpunim dhe zhvillim të veprimtarive të përbashkëta.