Gjergj Vyshka 19.02.2017 14:25
Shqipëria e mundjes është fituese e Kupës së Pavarësisë në Kosovë, e cila dje është zhvilluar në Prishtinë. Sipas informacionit që ka përcjellë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndriçim Spahiu, kombëtarja e drejtuar nga Fuat Brahi ka grumbulluar 25 pikë.
Janë arritur katër vende të para nga Ordis Lila në peshën 60 kg, Eriglen Prizreni në peshën 74 kg, Hans Mara në peshën 84 kg dhe Paris Karepi në peshën 120 kg. Si dhe tre vende të 3-ta me Oltion Bardhin në peshën 55 kg, Elmaz Kryeziun në peshën 66 kg dhe Dashnor Kokën në peshën 74 kg.
Ndërkohë, në këtë veprimtari ka gjykuar dhe gjyqtari Gani Gegolli, kurse Shqipëria e mundjes ka lënë pas Kosovën me 20 pikë dhe Maqedoninë me 15 pikë. Sakaq të shtunën e ardhshme në hotel “Diplomati 2”, Federata Shqiptare e Mundjes do të zhvillojë analizën e saj vjetore.