Gjergj Vyshka 14.02.2016 15:20
Shqipëria e mundjes është fituese e Kupës së Pavarësisë në Kosovë, e cila është zhvilluar dje në Prishtinë, ndërsa është cilësuar si turneu i parë mbarëkombëtar me mbishkrimin “8 vjet Pavarësi”. Sipas informacionit që ka dhënë për “Sport Ekspres” Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndriçim Spahiu, në këtë turne, Shqipëria ka marrë 5 vende të para, 4 vende të dyta dhe 3 vende të treta.
Kështu si fitues në peshat e tyre janë shpallur Sure Vrioni në peshën 60 kg, Orges Lila në peshën 66 kg, Eriglent Prizreni në peshën 74 kg, Paris Karepi në peshën 96 kg, Eqerem Shega në peshën 120 kg. Në vendet e dyta janë renditur Oltion Bardhi në peshën 50 kg, Arlind Gjoni në peshën 55 kg, Ledio Ciku në peshën 66 kg dhe Hans Mara në peshën 84 kg.
Duke vijuar më tej në vendet e treta janë klasifikuar Orgis Dauti në peshën 50 kg, Durim Mahmudi në peshën 74 kg, Ardit Gashi në peshën 84 kg. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Dhe tanët, ashtu sikurse kanë bërë edhe vitin e kaluar, kanë qenë fitues duke lënë nga pas Kosovën dhe Maqedoninë. Eriglent Prizreni është shpallur mundësi më teknik i turneut, ndërkohë që në të kanë gjykuar dhe Gani Gegolli dhe Besnik Fregja.