Adriatik Balla 26.08.2015 07:05
Mundja po përjeton ditë të vështira, për shkak të përçarjeve të brendshme, në kuptimin që ish-drejtues të saj vite më parë janë kundër drejtuesve të tanishëm dhe po bëjnë ç’është e mundur që të bllokojnë veprimtarinë e Federatës Shqiptare të Mundjes. Me apo pa të drejtë, fondi “grant” për këtë federatë është bllokuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, por pasojat e kësaj lëvizjeje i vuajnë sportistët, sidomos elementët e ekipit kombëtar, të cilëve nuk u mundësohet pjesëmarrja në veprimtaritë ndërkombëtare.
Federata dhe sportistët kanë bërë peticion MAS-it që të reflektojë dhe të hapë fondin për mundjen, por deri më tani nuk ka zgjidhje. Në mungesë të zgjidhjes institucionale mundja po shqyrton mundësitë private dhe të donatorëve për të mundësuar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror, i cili ka vlerë për kualifikim në Olimpiadën e vitit të ardhshëm në Brazil, “Rio 2016”.
Duke folur për këto probleme, mundësi dhe njëherësh trajner i këtij sporti, Sahit Prizreni, theksoi se bllokimi i fondit të mundjes nga MAS është një lëvizje e pamoralshme, e pabazuar në ligj, madje antikombëtare. Prizreni shtoi më pas në intervistën e tij për “SOT” se kjo sjellje arrogante, e paskrupullt dhe antiligjore është një hakmarrje personale dhe politike e një grupi individësh me funksione shtetërore.
AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë intervistën e mundësit të mirënjohur, Sahit Prizreni, për të përditshmen shqiptare “SOT” dhe dje ishte pjesa e parë, kurse sot është pjesa e dytë dhe e fundit.
… vijon nga dje
– Ka një pretendim nga ana e MAS, se zgjedhjet në asamble ishin me probleme. Nuk ju duket ky qëndrim i mjaftueshëm për të bllokuar “grantin”?
– Është një gënjeshtër e madhe, e padëgjuar më parë. Asambleja ishte në përputhje me rregulloren, me ligjet në fuqi. Gjithçka është zhvilluar ka ndodhur sipas statutit dhe zyrtarët e MAS-it e dinë këtë. Çdo nismë që ka marrë MAS-i deri më tani është e pabazë. Ne duam zbardhjen e dokumenteve dhe një ballafaqim me ta. Mundja jemi ne dhe jo ata.
– Është një klub (Besëlidhja) që pretendon të kundërtën, madje ka akuza ndaj jush…
– Ky klub ka qenë i pranishëm në asamble. Gjithkush i komunitetit të mundjes është i hapur të thotë mendimin e tij, por në rastin konkret ka pasur një reagim në media të tipit personal. Pretendimet e tyre janë tërësisht të pamoralshme. Ata janë vetëlarguar nga Federata se e duan mundjen siç do të donin ata të ishte. Por harrojnë se Federata i përket mundjes e jo individëve. Federata nuk është pronë e Sahit Prizrenit apo ndonjë personi tjetër. Ajo është federatë e mundjes dhe i përket komunitetit të mundjes.
– Ke menduar zgjidhje personale për Botërorin?
– Ne do të marrim pjesë patjetër në Botëror, pasi kjo veprimtari ka vlerë kualifikuese. Nuk mund të lëmë këtë mundësi të shkojë dëm. Ne kemi fjalën e lirë dhe jemi përpjekur të themi në media qëndrimin tonë. Në Botëror do të shkojnë tre sportistët më cilësorë dhe ata janë Egzon Shala, Vilson Ndregjoni dhe Islam Islamaj. Pjesëmarrja në Botëror do të jetë me shpenzimet e Federatës, e cila përpiqet të sigurojë mbështetje. Sa i takon zgjidhjes që mund të vijë nga MAS-i, e mirëpresim vetëm nëse ajo është në të mirë të komunitetit të mundjes. Ne do të vijojmë të ruajmë qëndrimin tonë, do të bëjmë protesta dhe do të kërkojmë hapur të drejtën tonë si komunitet sportiv.
– Nuk është vetëm pjesëmarrja në Botëror. Mundja ka dhe veprimtari kombëtare që mbeten kështu pa u zhvilluar. Si do të bëhet me veprimtaritë sportive?
– Të gjitha veprimtaritë do të bëhen. Presidenti (Martin Biba) ka siguruar që veprimtaritë do të zhvillohen të gjitha, pasi do të gjenden mënyrat e financimit. Ka sponsorë, etj, pra, veprimtaritë do t’i bëjmë, por MAS-i duhet të zbatojë ligjin.
– Nëse lind një kërkesë ose urdhër nga MAS që të ribëhet asambleja, do të pranoni?
– Në asnjë rast nuk do të pranojmë të ribëjmë asamble, pasi ajo që ne zhvilluam ishte asamble e rregullt. Komuniteti i mundjes nuk mund të ribëjë asamble pse do apo sa herë t’i teket Fidel Yllit, Viron Bezhanit apo ndonjë personi tjetër. Federata Evropiane dhe ajo Botërore e kanë njohur federatën tonë dhe zgjedhjet e saj. Kurse sjellja e MAS-it dhe njerëzve që po influencojnë në bllokimin e fondit për federatën është një gjest antikombëtar i mirëfilltë, një veprim në dëm të sportit të mundjes në Shqipëri.