AlbanianSport.com 28.09.2014 21:15
ASNN – Ndërsa historia me Shqipërinë është “de jure” e mbyllur, australiani Prizreni ka objektiva madhore në të ardhmen. Dhe misioni i radhës për të janë Lojërat Olimpike “Rio 2016”. “Objektivi im është pjesëmarrja në Olimpiadë dhe në kampionatin botëror, ku synoj të jem në treshen e parë”, – ka thënë ai.
Sahit Prizreni është kampion i padiskutueshëm i mundjes shqiptare. Arritjet më të mëdha në veprimtaritë ndërkombëtare i ka shënuar në 2002 me medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për Të Rinj që u zhvillua në Tiranë në peshën 54 kg; në 2007-n ka zënë vendin e tretë në Kampionatin Botëror të Të Rriturve të zhvilluar në Baku.
Aty shqiptari konkurroi në peshën 60 kg; gjithashtu në 2011-n është shpallur nënkampion Evrope në Dortmund të Gjermanisë. Por, veç këtyre arritjeve, Prizreni ka në CV-në e tij edhe tituj “kampionë” dhe nënkampionë në Bundesligën elitare gjermane të mundjes.
Falë potencialit të tij dhe njohjes në Bundesligë, Prizreni ka lobuar fort edhe për mundës të tjerë të Kombëtares shqiptare, siç ishte rasti me Egzon Shalën, edhe ky një sportist me perspektivë.
Prizreni ushtron sportin e mundjes prej gati 20 viteve dhe debutimi në veprimtaritë ndërkombëtare ka qenë kampionati botëror i kadetëve në peshën 50 kg në Udzh të Polonisë në gusht të 1999-s, duke vijuar me Evropianin e kësaj grupmoshe në korrik të 2000-s në Bratisllavës.