AlbanianSport.com 18/02/2024 20:10
ASNN – Abakarov shpallet “nënkampion” i Evropës në kategorinë e peshës trupore deri në 61 kg, var në qafë medaljen e argjendtë. Mundësi kuqezi Zelimkhan Abakarov fitoi të dielën pasdite medaljen e argjendtë në stilin e lirë të kategorisë së peshës trupore deri në 61kg, në Kampionatin Evropianin e Mundjes për Të Rritur, që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë.
Në finale, ai u mund 7-4 nga rusi Abasgadzhi Magomedov, por që garonte si neutral. Një duel i fortë dhe me rivalitet, ku të dy mundësit kërkuan suksesin në këtë finale, por në fund ishte Magomedov ai që triumfoi. Ndërsa mundësi kuqezi Abakarov, vari në qafë medaljen e argjendtë, duke korrur një tjetër rezultat të madh në karrierën e tij. Abakarov zhvilloi një sfidë të mirë, duke qenë edhe në epërsi në këtë finale, por pa mundur ta mbrojë epërsinë deri në fund.
Sidoqoftë, medalja e argjendtë është një rezultat i shkëlqyer për Abakarov, ish-“kampion bote” në këtë peshë dy vite më parë. Në ditën e parë, Abakarov mposhti 9-0 rivalin armen Mezhlum Mezhlumjan, duke e dominuar sfidën. Në çerekfinale, mundësi kuqezi triumfoi 7-5 ndaj gjeorgjianit Shota Phartenadze, në një sfidë të vështirë. Gjysmëfinalja ishte më e lehtë për Abakarov, që mundi 11-0 gjermanin Niklas Stehele.
Një ditë më parë, mundësi tjetër kuqezi islam Dudaev fitoi medaljen e artë në kategorinë e peshës trupore deri në 65 kg, ndaj medalja e Abakarovit është e dytë për Shqipërinë në këtë turne. Mundja kuqezi e mbyll këtë turne me një të artë dhe një të argjendtë, duke bërë një paraqitje të mirë.