AlbanianSport.com 28.09.2015 10:40
ASNN – Pavarësisht bllokimit të fondit grant nga Ministria e Sporteve, mundja shqiptare ka vijuar veprimtaritë e saj me Kampionatin Kombëtar të Moshave. Presidenti i Federatës Shqiptare të këtij sporti, Martin Biba, ka theksuar se pavarësisht pengesave ata do të bëjnë të pamundurën që të përzgjedhin elementët cilësorë për kombëtaren e madhe.
Në kategorinë parashkollorë, ekipi privat “Vlora Wrestling” u shpall “kampion” në stilin “greko-romak” dhe mundësi i këtij ekipi, Aleksandër Petroshati, sportisti më i mirë. Tirana fitoi titullin në stilin e lire. Pas kampionatit Presidenti Biba theskoi se veprimtaritë e kësaj federate do të vazhdojnë normalisht me objektivin për të kualifikuar sportistë në Olimpiadën “Rio 2016”.
Në ceremoninë e hapjes së aktivitetit, që është bërë mes kampionatit të shkollorëve dhe para të rinjve, presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, ka propozuar një minutë heshtje Isa Vejukaj, ish-mundësin e Vllaznisë në vitet 1975-1985. Ai ka qenë një mundës “kampion” dhe trajner i shkodranëve, ndërsa është ndarë nga jeta para pak ditësh.
Dhe Biba pasi i ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen që ka ardhur nga presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Nenad Laloviç, në kushtet kur institucioni më i lartë i sportit të tapetit në vend është i bllokuar financiarisht. Dhe kjo në mënyrë krejt absurde.