AlbanianSport.com 31.07.2015 22:40
ASNN – Ish-mundësi i njohur lushnjar, Pëllumb Meçe, prej gjashtë vjetësh është trajner i ekipit të të rinjve dhe shpjegon gjendjen e vështirë që po kalon ky sport. “Kam tre vjet që bëj stërvitje jashtë tapetit në terren sepse mungon dhe nuk kushton më tepër se 200 mijë lekë”, – ka deklaruar ai duke folur për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”.
Në vitet 2009-2011, kam pasur tapete të viteve 1960 dhe bëja stërvitje me vështirësi, – ka vijuar ai. – Disa ishin shumë të vjetër dhe u çanë. Në këtë kohë kam blerë një me ndihmën e një biznesmeni. I kam bërë kërkesë Bashkisë për blerjen e tapetit, kryetarit aktual dhe kryetarit paraardhës dhe nuk e di pse është ngurruar për të hapur një fond prej 200 mijë lekësh.
“Palestra për të bërë stërvitje ka, të rinj për t’u bërë mundës profesionistë gjithashtu ka”, – u shpreh trajneri. Mes të tjerash, ai ngre shqetësimin se bashkia nuk i federon sportistët dhe se në gara kanë marrë pjesë të pafederuar. “Bashkia të na ndihmojë, që ky sport, që Lushnja e ka pasur traditë, të mbijetojë”, – deklaroi trajneri i ekipit të të rinjve të mundjes së Lushnjës, Pëllumb Meçe.